Vendimmarrja e studentëve si mjet dhe përgjegjësi

Në 20 shkurt institucionet arsimore publike do t’u nënshtrohen procesit të zgjedhjes së organeve vendimmarrëse kolegjiale dhe të strukturave drejtuese. Studentët, pedagogët dhe punonjësit e administratës do të shprehin përmes votës, në përqindje të caktuara, preferencat e tyre për individët drejtues dhe grupet vendimmarrëse. Sipas Ligjit të Arsimit të Lartë shqiptar , 20 % të peshës vlerësuese e zë pikërisht vota e studentëve. Studentët, jo vetëm janë target grupi më i gjerë, por edhe më i rëndësishmi në këtë proces, pasi ata janë konsumatori i drejtpërdrejtë i shërbimit të universiteteve dhe në fund të studimeve i ofrohen shoqërisë si një produkt vlerash dhe aftësish. Në këtë kontekst, komuniteti studentor është më i interesuari për tu përfshirë në këtë proces zgjedhor, dhe ky angazhim është i domosdoshëm. Është i domosdoshëm pasi ata janë përcaktues në zgjedhjen e drejtuesit të universitetit apo fakultetit ku ata studiojnë. Kandidati për të cilin ata do të votojnë për rektor, do të jetë personi që për katër vitet e ardhshme do të orientojë të gjitha politikat dhe praktikat arsimore të universitetit, dhe është pikërisht vizioni i tij, aftësia dhe karizma e tij, që do të përcaktojnë vijueshmërinë e studimeve tona. Gjithashtu, kandidati të cilin studentët do të mbështesin për dekan, do të jetë personi që për katër vjet do të drejtojë fakultetin , dhe do të jetë dera më e rëndësishme në të cilën do të trokasin studentët për probleme apo situata të caktuara. Ndaj, është shumë e rëndësishme që në 20 shkurt komuniteti studentor shqiptar të marrë pjesë në votime dhe të shprehet përmes të drejtës kushtetuese të votës. Kolegët studentë, do të votojnë për programin më të mirë, për akademikët më vizionarë, për profesorët që kanë treguar se janë pranë nesh dhe përfaqësojnë interesat tona! Por ka edhe një arsye tjetër, po aq madhore, pse studentët duhet të përfshihen thelbësisht në këtë proces zgjedhor në universitetet publike. Çdo student mund të bëhet zëri, veshi dhe avokati i kolegëve të tij duke kandiduar për 15 % të vendeve për organet kolegjiale vendimmarrëse. Këshilli i fakultetit dhe senati akademik i universitetit janë organet më të larta vendimmarrëse ndaj zëri i komunitetit studentor është i domosdoshëm. Ndaj, të nderuar studentë guxoni, garoni, loboni dhe përfaqësoni denjësisht komuniteti studentor!

Kjo është mënyra më demokratike dhe procedura më e saktë për të korrektuar sistemin tonë arsimor që sigurisht ka probleme, dhe këto nuk janë të pakta për hir të së vërtetës. Studentët nuk duhet të përdorin metodën e thënies së gjërave në rrugë, sikundërse nuk është e domosdoshme turma e kamufluar apo harxhimi i qindra metra katrorë letra e pankarta sloganesh. Respektimi i institucioneve, procedura e rregullt e përfshirjes dhe e rritjes së transparencës, është një model standard që studentët dhe universitetet duhet t’i japin shoqërisë shqiptare. Në këto zgjedhje garojnë intelektualët e këtij vendi, elita që duhet t’i japë një leksion të mirë shoqërisë dhe politikës për standardet e zgjedhjeve, ndaj studentët nuk duhet të bëhen palë e asnjë marrëveshjeje pragmatiste. Në asnjë rast studentët nuk duhet të bëhen pjesë e pazareve që cenojnë integritetin e institucioneve tona arsimore. Ata duhet të denoncojnë pranë këshillave studentorë përkatës, si dhe pranë medias e organeve përkatëse të gjitha tentativat për të shkëmbyer votën e studentit me notën!

Çdo precedent i tillë përbën një akt të shëmtuar, që nuk na shkon ne, Studentëve, të ardhmes së vendit, që ta pranojmë, sikundërse nuk u shkon as akademikëve tanë, drejtuesve të institucioneve që mëkojnë dije e leksione demokracie, ta praktikojnë. Ndaj, në 20 shkurt, studentët e universiteteve publike shqiptare kanë një mjet për ta përdorur në funksion të korrektimit të sistemit arsimor, sikundërse kanë detyrimin moral të përgjegjshmërisë me të cilën do të përfshihen në këtë proces

Ky zë u postua te Njoftime. Faqeruani permalidhjen.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s