Fondi i Ekselencës, brenda vitit 2013 do të përfitojnë 300 kandidatë

Tafaj: Vitin e ardhshëm do të kemi 220 kandidatë
“Do të mbështesim çdo vajzë dhe djalë që aplikon në 15 universitetet e para të botës, pavarësisht nga numri i tyre që fitojnë, ndaj dhe duhet të gjejmë një mekanizëm, që të inkurajojmë të gjitha ekselencat, nga matura, vitet e para, vitet në vazhdim, që me guxim dhe kurajë të aplikojnë në këto universitete”. Kjo ka qenë deklarata e bërë dje nga Kryeministri Berisha në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave të Fondit të Ekselencës. Në takim ishte i pranishëm edhe ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, i cili ka falënderuar Kryeministrin për investimin që po bëhet për këtë kategori studentësh. Vitin e kaluar ishin 65 kandidatë që përfituan nga fondi që jep qeveria, ndërsa për këtë vit pritet dyfishimi i numrit të studentëve të shkëlqyer. Hapja e regjistrimeve do të bëhet më 9 janar dhe do të mbyllen më 30 janar, ku çdokush do të ketë mundësinë të aplikojë falë edhe regjistrimeve që do të bëhen me postë.

Kryeministri
“Duhet të bëjmë gjithçka që nga ky fond të përfitojnë shqiptarët nga Kosova, Maqedonia, diaspora e çdo shqiptar kudo që ndodhet”, – theksoi Berisha. Kryeministri e cilësoi diplomimin e studentëve të ekselencës si një simbol të forcës së mendimit, duke siguruar se parësore për qeverinë është rritja e cilësisë së mësimdhënies. “Ne sot kemi rreth 67 kandidatë të cilët kanë përfituar nga Fondi i Ekselencës dhe në total brenda 2013-s do të ketë 300 përfitues. Ky është një hap i mirë përpara, por unë ju bëj thirrje të gjejmë të gjitha rrugët dhe mekanizmat për ta shumëfishuar këtë kontigjent. Unë ju garantoj që i vetmi fond që është pa limit është ky fond. Ne do të mbështesim çdo kandidat që aplikon në 15 universitetet më të mira të botës”, – ka theksuar Berisha. Gjithashtu, kreu i qeverisë ka shtuar se një arritje e madhe është edhe rritja e numrit të studentëve që këtë vit kap shifrën 49 studentë për 1 mijë banorë. “Kjo është një arritje epokale, historike, por jetike mbetet cilësia në shkollat tona të larta. Duhet të bëjmë çdo investim që në mënyrë të vazhdueshme të rrisim cilësinë e mësimdhënies dhe të inkurajojmë kërkimin shkencor si kusht për të përmbushur misionin tonë”, – ka shtuar Kryeministri. Sipas Berishës, duhet bërë gjithçka, duhet bërë çdo investim, në mënyrë që dora-dorës, në mënyrë të vazhdueshme të rrisim cilësinë e mësimdhënies. “Duhet të bëjmë gjithçka, të inkurajojmë kërkimin shkencorë si kushtin më themelor, që institucionet tona të arsimit të lartë, të përmbushin misionin e tyre”, – tha kreu iqeverisë. Burokracia nuk duhet të jetë pengesë për mbështetjen e studentëve më të shkëlqyer dhe dërgimin e tyre për të studiuar në universitetet më të mira të botës. Kjo ishte deklarata e djeshme e Kryeministrit Sali Berisha, në ceremoninë e shpërndarjes së diplomave për studentët e ekselencës. Në këtë fillim viti, kryetari i qeverisë u shpreh se nga Fondi i Ekselencës për këtë vit kanë përfituar 67 kandidatë dhe premtoi se brenda vitit 2013 do të përfitojnë 300 kandidatë. Berisha kërkoi që nga ky fond të përfitojnë studentët e shkëlqyer nga të gjitha trevat shqipfolëse, si nga Kosova, Maqedonia dhe diaspora.
“Duhet të bëjmë gjithçka që nga ky fond të përfitojnë shqiptarët nga Kosova, Maqedonia, diaspora e çdo shqiptar kudo që ndodhet”, tha Kryeministri. Ai e cilësoi diplomimin e studentëve të ekselencës si një simbol të forcës së mendimit, duke siguruar se parësore për qeverinë është rritja e cilësisë së mësimdhënies.
Në këtë kontekst, kreu i shtetit u bëri thirrje rektorëve, dekanëve dhe pedagogëve që të bëjnë gjithçka për të shtuar numrin e studentëve ekselentë.
“Do të bëjmë gjithçka, çdo investim që të rrisim në mënyrë të vazhdueshme cilësinë e mësimdhënies. Do të kërkoja nga ju dekanë, rektorë, pedagogë të bëjmë gjithçka që të shtojmë numrin e tyre që duhet të studiojnë në universitetet më të mira. Të mos jetë burokracia një pengesë për të mbështetur të gjithë ata studentë të shkëlqyer”, tha Kryeministri i vendit gjatë ceremonisë së diplomimit të studentëve më të mirë.

Ministri Tafaj
Në të njëjtën linjë si Kryeministri ka qenë edhe ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, i cili i ka vlerësuar studentët e ekselencës si më të mirët e sistemit arsimor. “Në 67 kandidatët e shpallur fitues në vitin e fundit, që sapo kanë filluar studimet në shkollat e huaja, 19 studentë ndjekin bachelor dhe master në 15 universitetet më të mira të botës, 41 të rinj mbështeten për të kryer studimet e doktoratës. Sivjet, për herë të parë, vlerësohen me çmim për kërkime postdoktorate 2 mjekë të rinj të talentuar, që janë shquar për botimet e tyre në shkallë ndërkombëtare dhe punojnë në fakultetet e Universitetit të Tiranës dhe në klinikat e QSUT-së”, – tha ministri Tafaj. Sipas ministrit, për vitin 2012 buxheti i miratuar për Fondin e Ekselencës mundëson mbështetjen e rreth 50 kandidatëve të tjerë. Kjo do të mundësoj që në vitin 2012, me Fondin e Ekselencës të mbështeten rreth 220 kandidatë, ku rreth 200 profesorë të rinj me kualifikime ndërkombëtare do t’i shtohen sistemit të arsimit të lartë brenda 10-15 viteve që vijnë. Gjithashtu, ministri u ka bërë thirrje studentëve që të shfrytëzohen edhe programet ndërkombëtare, në mënyrë të veçantë ato të BE-së (Tempus, FP7 Erasmus etj.), sepse në këtë mënyrë do të mundësohet që të gjithë studentët e shkëlqyer të mund të vazhdojnë studimet në universitetet më të mira të botës.

Çfarë përmban Fondi i Ekselencës?
Fondi i Ekselencës është një fond për studentët e shkëlqyer që duan të vazhdojnë studimet në universitetet më të mira të botës. Çdo student, nëse do të fitojë të drejtën për të studiuar në një nga 15 universitetet më të mira në botë, do të këtë mundësinë të fitojë bursë nga qeveria shqiptare. Këta studentë duhet të pranojnë të punojnë së paku 3 vjet në Shqipëri pas përfundimit të studimeve të doktoratës apo postdoktoratës jashtë shtetit. Ata nuk duhet të jenë njëkohësisht përfitues të ndonjë burse tjetër nga shteti shqiptar dhe nuk duhet të kenë të ardhura personale mbi 20 000 lekë në muaj.

Cilët studentë do të përfitojnë?

Përfituesit nga ky fond do të jenë disa kategori studentësh që duan të vazhdojnë studimet jashtë. Studentët që kanë arritur notën mesatare mbi 9, për shkencat natyrore, inxhinierike e të jetës dhe mbi 9.5 për shkencat ekonomike e shoqërore, ose përkatësisht mbi 8 për shkencat natyrore, inxhinierike e të jetës dhe mbi 8.5 për shkencat ekonomike e shoqërore për studimet e kryera jashtë shtetit në secilin cikël studimi. Përfitues do të jenë edhe fituesit në konkurse dhe olimpiada ndërkombëtare me reputacion, në formë çmimesh si nxënës dhe studentë të klasifikuar në tri vendet e para, studentë dhe doktorantë që kanë përfunduar studimet universitare ose pasuniversitare me rezultatin “shkëlqyer” në një universitet të huaj, që renditet në 30 më të mirat e botës. Gjithashtu, përfitojnë studentët që ndjekin jashtë shtetit ciklin e parë dhe ciklin e dytë të studimeve në njërin prej 15 universiteteve më të mira të botës, kur janë pranuar në një nga këto universitete për të ndjekur njërin nga dy ciklet e studimit, si dhe ata që janë pranuar dhe kanë përfituar bursë të pjesshme në shkencat inxhinierike, teknologji informacioni, matematikë, fizikë dhe bioteknologji në universitetet e njohura perëndimore. Në kategoritë që përfitojnë do të jenë dhe autorët e botimeve me nivel të lartë shkencor, të vlerësuar edhe jashtë vendit, të cilët përfitojnë çmime dhe mbështetje financiare për artikujt shkencorë origjinalë dhe analizat shkencore, pranuar në revistat shkencore të huaja, që janë të indeksuara, me faktor impakti mbi 2.0.

Fituesit
Përzgjedhja e kandidatëve kryhet para fillimit të çdo viti akademik nga komisione përzgjedhëse, të ngritura me urdhër të ministrit të Arsimit dhe e Shkencës. Këto komisione kanë në përbërje profesorë të universiteteve, në varësi të fushës, si dhe një përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Lista përfundimtare e kandidatëve të përzgjedhur dhe masa e bursës për secilin prej tyre miratohen nga ministri i Arsimit dhe i Shkencës, pasi kandidati të ketë nënshkruar deklaratën e miratuar nga ministri për punësim në Shqipëri. Lista botohet në faqen e internetit të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës.

Bursat
a) Bursa të posaçme për studentë që bëjnë studimet e doktoratës jashtë shtetit.
b) Bursa të posaçme për studentë që ndjekin studime “Bachelor” ose “Master” në njërin prej 15 universiteteve më të mira të botës, si dhe ata që janë pranuar e kanë përfituar bursë të pjesshme në shkencat inxhinierike, teknologji informacioni, matematikë, fizikë dhe bioteknologji në universitetet e njohura perëndimore.
c) Bursa të posaçme për shkencëtarë të rinj, që bëjnë studimet e postdoktoratës jashtë shtetit.
ç) Çmime/shpërblime për studentë fitues në konkurse dhe olimpiada ndërkombëtare.
d) Çmime/shpërblime dhe mbështetje financiare për botime shkencore, me nivel të lartë shkencor, të vlerësuara edhe jashtë vendit.

15 universitetet më të mira të botës:

1. Harvard University US
2. University of Cambridge UK
3. Yale University US
4. University College London UK
5. Imperial College London UK
6. University of Oxford UK
7. University of Chicago US
8. Princeton University US
9. Massachusetts Institute of Technology US
10. California Institute of Technology US
11. Columbia University US
12. University of Pennsylvania US
13. Johns Hopkins University US
14. Duke University US
15. Cornell University US

Hapja e regjistrimeve do të bëhet më 9 janar dhe do të mbyllet më 30 janar, ku çdokush do të ketë mundësinë të aplikojë falë edhe regjistrimeve që do të bëhen me postë.

Çdo student, nëse do të fitojë të drejtën për të studiuar në një nga 15 universitetet më të mira, do të këtë mundësinë të fitojë bursë nga qeveria shqiptare.

Ky zë u postua te Mbi arsimin. Faqeruani permalidhjen.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s